Izolohet Britania e Madhe


Izolohet Britania e Madhe

12:20 21/12/2020

Bota i trembet mutacionit të koronavirusit

Mutacioni i ri më ngjitës i Covid-19 po e izolon Britaninë e Madhe nga vendet europiane e më gjerë. Italia, Gjermania, Franca, Austria, Belgjika, Holanda, Suedia e Bullgaria vendosën të mbyllin deri në 48 orë transportin e ajror, tokësor e detar të pasagjerëve, për të penguar përhapjen e mutacionit me veçori jo plotësisht të njohura.

Liderët europianë do të zhvillojnë këtë të Hënë një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel për masat e njëtrajtshme që do të marrin vendet anëtare të unionit. Udhëtimet me Britaninë e Madhe i kanë bllokuar edhe vende jo-anëtare si Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Në disa vende europiane si Holandë, Gjermani e Itali janë konstatuar persona të infektuar me variantin e ri të koronavirusit, por në shumicën e rasteve kanë qenë asimptomatikë.

Ekspertja e virologjisë Uendi Barkllei tha për BBC se shqetësues është fakti që koronavirusi ka pësuar mbi 20 lloje mutacionesh, teksa normalja për një virus është të paktën 2. Kjo tregon se Covid-19 mund të ketë ndryshuar mënyrën e sjelljes dhe pasojat e infektimit.

Ajo që dihet aktualisht është se mutacioni i ri përhapet 70% më shpejt se varianti që ka qarkulluar deri më tani. Kjo veçori mund të shkaktojë një dyndje të re drejt spitaleve të pacientëve që kanë nevojë për mbikëqyrje mjekësore. Kjo rrezikon të shtojë vdekshmërinë pasi jo të gjithë pacientët mund të marrin gjithë ndihmën e nevojshme nga mjekët në një situatë ku kapacitetet e tyre tejkalohen.

Tv Klan






Të ngjashme