Namik Dokle intervistë (24 Tetor 1999)


Namik Dokle intervistë (24 Tetor 1999)

12:05 24/10/1999

Qeveria Majko duhet të kërkojë një rivlerësim nga PS. Kështu është shprehur sot , një ditë pas marrjes së postit të lartë në parti, sekretari i përgjithshëm i PS-së, zoti Namik Dokle i njohur edhe si një nga përkrahësit e Kryeministrit. Sipas tij Majko aktualisht është duke reflektuar por jo për t’u larguar.

Namik Dokle: Pas një Kongresi dhe me këto zhvillime që pati zoti Majko dhe Qeveria e tij duhet të rivlerësojnë punën e tyre dhe mënyrën se si do ta bëjnë këtë në KPD apo në një rrugë tjetër është një çeshtje që do ta zgjidhin vetë ata, zoti Majko me ministrat që ai ka. Por kuptohet ajo që është kryesore për ne është mesazhi që Kongresi PS dha që pavarësisht diversitetit që ka brenda partisë, të gjithë jemi të ndryshëm por të gjithë jemi dhe të barabartë dhe mesazhi është që ne duhet të punojmë shumë më mirë sot e tutje për të realizuar këto premtime, ato objektiva që Qeveria, partia, dhe partitë e tjera të koalicionit i kanë vetes në interes të zhvillimeve politike dhe ekonomike sociale të vendit.

Gazetarja: Mendoni se nëse ai nuk merr votëbesimin në KPD do të ketë luhatje në vijën e tij politike?

Namik Dokle: Ai është duke reflektuar, përsa i përket largimeve unë jam i prirur të mos flas për largimet, më mirë është të flasim për ardhjet.

Duket se balancat e reja të krijuara mes përkrahësve të Nanos dhe të Majkos kanë sheshuar konfliktet para dhe pas kongresit.

Namik Dokle: Dje janë zgjedhur drejtuesit e PS-së dhe ata si të tillë dhe me mandatin që morën nga KPD duhet dhe do të punojnë sigurisht për Partinë Socialiste dhe as per Nanon, as per Majkon. Kuptohet që të gjithë janë të PS-së dhe të gjithë duhet të kryejnë detyrimet dhe të mbajnë përgjegjësitë që PS u ka ngarkuar si parti që është në pushtet në aleancë me partitë e tjera dhe qeveris vendin./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme