Namik Dokle intervistë – (6 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Intervistë me Nënkryetarin e Kuvendit, zotin Namik Dokle.
Namik Dokle, Nënkryetar i Kuvendit:- “Jo nuk ka asnjë funksion antikushtetues në ekzekutiv sepse Kushtetuta është duke u implementuar hap pas hapi për të gjitha ato elemente të cilet kërkohen të vendosen sipas Kushtetutës. Por sa i përket atyre ndryshimeve të procedurave realisht nuk do të ketë ndonjë ndryshim të procedurave por është fjala për debatet parlamentare të cilat vijnë jo si rezultat i një interpelance apo një pyetje urgjente por vijnë si rezultat i një mocioni për debat. Dhe rregullorja e Kuvendit e ka patur pikërisht këtë gjë, të drejtën e deputetëve apo të një grupi parlamentar, apo të një grupi deputetësh të bëjnë një mocion për debat”.
Gazetari:- Parashikoni ndonjë zgjidhje të pjesshme përsa i përket atij kushtit për dënimin me vdekje, e kemi fjalën për situatën e rënduar të kriminalitetit?
Namik Dokle, Nënkryetar i Kuvendit:- “Sapo mora në dorë një vepër të Alber Kamysë përkthyer me sponsorizimin e Këshillit të Europës, vepra titullohet “Përpara gijotinës” dhe shikoj aty që është shtruar në mënyrë shumë të qartë se denimi me vdekje është një kancer i një shoqërie civile. Dhe nëse shoqëria duhet të bëhet me të vërtetë civile duhet të heqë dorë nga dënimi me vdekje, sepse ka rrugë dhe mënyra të tjera për të ulur kriminalitetin dhe sipas gjithë specialistëve, ekspertëve, analisteve, sidomos ata të KE, dënimi me vdekje në asnjë rast nuk ka bërë ulje të kriminalitetit. Mund ta ketë bërë këtë përkohësisht por jo një periudhë mjaft të gjatë. Dhe një shoqëri, thotë Kamyja, nuk mund të quhet kurrsesi demokratike dhe civile, nëqoftëse ajo përdhunon të drejtën njerëzore për të jetuar. Pra nëqoftëse shoqeria nuk heq dënimin me vdekje nga legjislacioni i saj, ajo realisht përkrah ata që synojnë heqjen e jetës së njerëzve”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame