Namik Dokle për Kosovën – (17 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Intervistë me Nënkryetarin e Kuvendit, zotin Namik Dokle pë situatën në Kosovë.
Namik Dokle, Nënkryetari i Kuvendit:- “Mendoj që në planin e angazhimit politik mbarëshqiptar për çështjen e Kosovës ka patur edhe probleme, ka patur edhe keqkuptime, ka patur edhe ide të gabuara, por në përgjithesi është mbajtur një qëndrim mjaft pozitiv, dhe Shqipëria dhe politika shqiptare është paraqitur me një nivel të lartë, me një dinjitet dhe si një partnere e fuqishme me komunitetin ndërkombëtar, me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian, për të zgjidhur krizën e Kosovës. Në këtë kuadër duke qenë Thaçi dhe Qeveria që ai kryeson një faktor shumë i rëndësishëm dhe bashkëpunimi me të ka qenë mjaft i mirë, pozitiv, dhe në momentet kyçe politika shqiptare është përpjekur të japë kontributin e saj. Dhe kontributi jo në pozitat e paternalizmit po kontributi në pozitat e partneritetit. Nëqoftëse do të kërkojmë një paternalizëm të Shqipërisë mbi Kosovën atëhere unë do të thosha se do të shkonim në një rrugë të gabuar”.
Gazetarja:- A shihni një dobësim të pozitave të Thaçit në Perendim duke nxjerrë në pah figurën e Rugovës?
Namik Dokle, Nënkryetari i Kuvendit:- “Absolutisht. Perëndimi ka vleresuar të dy palët aq sa i ka vlerësuar për kontributin e tyre. Dhe unë nuk mund të them që ka një dobësim të figurës së Thaçit. Ajo çfare më bën përshtypje është aty këtu një dirigjim të disa sulmeve që bëhen ndaj Thaçit dhe sidomos ndaj UÇK çka për mua janë të dëmshme për gjithë çështjen e Kosovës. Çdo shqiptar që u bashkohet këtyre sulmeve të gazetave të ndryshme i bën dëm në thelb Kosovës. Dhe ndërkohë që Gjenerali Kryekomandanti i NATO-s, Uesli Klark, që drejtoi gjithë operacionin kundër kriminelit Sllobodan Millosheviç dhe mund të thuhet që është një nga çlirimtarët e Kosovës, vlereson lart UÇK, dhe vlerëson bashkëpunimin e UÇK me NATO-n dhe me komunitetin ndërkombëtar ka të tjerë të cilët e sulmojnë për arsye të interesave të tyre politike. Interesa të cilat kam përshtypjen që burojnë nga vende të tjera, por për fat të keq gjejnë here pas here jehonë edhe në shtypin shqiptar. Ndoshta kjo është një mendjelehtesi por po të jetë mendjelehtësi do të ishte e keqja më e vogël. Unë uroj që të mos jetë diçka tjetër”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bregu