Namik Dokle për zhvillimet në Asamblenë Parlamentare të KE – (27 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka cilësuar normale zgjedhjet në Shqipëri, duke i quajtur kapitull i mbyllur. Kështu ka deklaruar nënkryetari i parlamentit Namik Dokle, i sapo kthyer nga sesioni i dimrit të kësaj asambleje.
Namik Dokle:- “Zhvillimet në Shqipëri në këtë mbledhje të Asamblesë Parlamentare, të Këshillit të Europës, nuk ishin në qendër të vëmendjes, sepse nga raporti i byrosë të Asamblesë Parlamentare të KE, u paraqitën për diskutim katër materiale për zgjedhjet e diskutuara në vende të ndryshme. Zgjedhjet e 1 Tetorit të bëra në Shqipëri, ishin një kapitull i mbyllur shumë pozitivisht dhe nuk kishte asnjë shqetësim për t’u shtruar në Asamblenë e KE. Gjithashtu u diskutua një agjendë konkrete e përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo organizëm ndërkombëtar, në mënyrë që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen sa më normalisht”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego