Nano apel socialistëve: Duhet të fitojmë 60% të votave në parlament – (14 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Socialistët janë befasuar nga vendimi i liderit demokrat Berisha, për të paraqitur para elektoratit 95 kandidatë të pavarur për deputetë. Ndonëse e kanë hapur të parët lojën me të pavarurit, socialistët ishin përgatitur për të shpallur si të pavarur rreth 40 kandidatë për deputet, kryesisht nga shoqëria civile. Taktika elektorale e socialistëve përputhet me atë të demokratëve, jo vetëm në përdorimin e të pavarurve, por edhe në konceptet praktike të përfitimit të votave.
Kryetari Nano pranoi se në katër vitet e fundit, mazhoranca nuk arriti rezultatet që priteshin nga elektorati. Ai përsëriti objektivin për të marrë 60% të votave në parlament, në aleancë me shoqërinë civile.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Pikërisht dje Sali Berisha dha të gjitha garancitë se fillimi i ri i tij dhe i PD, për të sërish do të thotë, rikthim në kaos, në pranga për kundërshtarët politikë, në eksperimente që të zhdukin paratë dhe pasuritë, në shtet që rrënon shtetasit. Prandaj së bashku do të angazhohemi që nga zgjedhësit të marrim atë rezultat, që na duhet jo vetëm ne, por dhe stabilitetit dhe progresit të Shqipërisë, 60% të vendeve në kuvendin e ri”.
Në takimin me kandidatët socialistë për deputet, kryetari i grupit parlamentar socialist Arben Malaj shpjegoi platformën zgjedhore me objektiva konkret që synojnë të realizojnë socialistët nëse fitojnë një mandat tjetër qeverisës në vitet 2001-2005./tvklan.al
Gazetare – Vladimir Lame