Napoli nuk lëshon kreun në Serie A
Napoli mbetet sërish në krye të Serie A falë fitores 2 – 0 me Verona. Koulibaly dhe Callejon me golat e tyre në pjesën e dytë vendosën fatin e takimit të luajtur të shtunën. Ekipi i Hysajt tani është në kuotën e 51 pikëve pas 20 javësh kampionat.
Juventus i dyti nuk humbet terren falë fitores 1 – 0 në Cagliari. Bernardeschi realizoi për Juve që mbetet 1 pikë larg Napolit. Roma u ndal sërish, kësaj here në një humbje në shtëpi. Atalanta e Berishës fitoi me rezultatin 2 – 1 në Olimpico. Bergamaskët morën 3 pikët edhe pse luajtën të gjithë pjesën e dytë me 10 futbollistë, pasi De Roon u përjashtua me karton të kuq.
Milan është rikthyer te fitorja në Serie A. Skuadra e Gattusos mundi me rezultatin 1 – 0 Crotonen e Ajetit. Golin e shënoi kapiteni Bonucci.
Fitore e thellë 5 – 2 e Lazios në fushën e SPAL. Protagonist në këtë sfidë ishte Immoble me 4 gola të shënuar. Një paraqitje e mirë e Strakoshës pavarësisht 2 golave të pësuar.
Benevento arriti një tjetër fitore, duke ngjallur shpresat për të mbijetuar në Serie A. Skuadra e Memushajt dhe Gjimshitit mundi 3 – 2 Sampdorian me suksesin e vendosur në kohën shtesë.
Mazzarri debutoi me fitore në stolin e Torinos që mundi Bolognan 3 – 0 në takimin e mesditës të shtunën. Inter të premten barazoi 1 – 1 me Fiorentinë duke treguar se e ka harruar fitoren në kampionat.
Tv Klan