Nasip Naço lë LSI-në për PS-në
Nasip Naço do të jetë kandidat i Partisë Socialiste për deputet në qarkun e Beratit. Në krah të Blendi Klosit, në Ditën e Ujit të Bekuar, ish-Ministri i Drejtësisë, deputet i këtij qarku për 3 mandate, madje duke kryesuar listën, përfaqësues i lartë i LSI, Nasip Naço zyrtarizoi atë që përflitej prej kohësh, kalimin tek Partia Socialiste.
“Sot do të doja të shpreh edhe njëherë qëndrimin tim që do vazhdoj që të jem në krah të së majtës progresive, e cila i ka dhënë tonin Shqipërisë në këto vite. Sigurisht Berati dhe Shqipëria nuk kanë më nevojë për eksperimente politike. Kanë nevojë për të ecur përpara. Unë kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI-ja së bashku me PS. Kontributi im ka qenë ndoshta modest, por përkushtimi ka qenë tejet i madh për të ecur përpara si me reformën në drejtësi dhe reformat e tjera në vendin tonë, të cilat janë të domosdoshme. Ajo që mund t’ju them është që sot jam me zotin Klosi, por do të jem dhe në të ardhmen në krah të zotit Klosi”.
Dita, por dhe vendi që kishte zgjedhur për të bërë publik këtë vendim u duk i llogaritur mirë. Ndoshta kjo dhe për t’i dhënë një mesazh ish-kryetarit të Partisë së tij, Presidentit Ilir Meta, i cili ishte në Berat për të marrë pjesë ashtu si Naço e Klosi në ceremoninë e përvitshme të hedhjes se kryqit në lumin Osum, në Ditën e Ujit të Bekuar. Vetë ish-Ministri thotë se fitorja i takon PS dhe mesa duket dëshira për të qenë krah fitueseve e ka nxitur të hedhë këtë hap.
“E thashë pak më parë, Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike. Nuk ka nevojë për njerëz që janë vasalë të dikujt tjetri. Ka nevojë që të përfaqësojnë një pjesë të elektoratit dhe në qarkun e Beratit, i cili është i pa përfaqësuar dhe në çdo rast kërkon që votat e tyre të shkojnë në koalicion me të majtën progresiste. Unë besoj që nga sondazhet e bëra dhe nga mesazhet që më vijnë, më kërkojnë që të përfaqësoj këtë pjesë të elektoratit dhe nuk janë pak, por janë rreth 70 përqind të atyre që kanë votuar dhe që duan të votojnë për të majtën progresiste”.
Edhe drejtuesi politik i Beratit, Ministri Blendi Klosi e sheh si një vlerë të shtuar për Beratin afrimin e Naços në PS.
“Bashkë me mesazhin për një ditë të bukur për Beratin, edhe mikëpritja e kolegëve tanë, të cilët mbështetin Edi Ramën Kryeministër dhe fitoren e PS më 25 Prill është mëse e mirëpritur. Edhe me afrimin e kolegëve të shquar si Nasip Naço ne do të arrijmë objektivin tonë për 5 mandate në Berat, por e rëndësishme është që PS të rivazhdojë projektet e nisura, pasi Berati ka shumë nevojë për të vazhduar këto projekte. E gjithë Shqipëria ka nevojë të transformohet dhe ky transformim, tashmë shqiptarët e kanë vendosur që është me Edi Ramën Kryeministër”.
Naço është i dyti ish-Ministër i LSI që largohet nga kjo forcë pas djegies së mandateve parlamentare në 2019. Lefter Koka po ashtu nuk pranoi të hiqte dorë nga mandati i deputetit dhe në shumë votime të rëndësishme ka bashkuar votat me maxhorancën socialiste në parlament.
Tv Klan