Nata e Kadrit dhe Bajrami, ndihma për 300 familje në nevojë


Nata e Kadrit dhe Bajrami, ndihma për 300 familje në nevojë

20:55 21/06/2017

Në kuadër të Natës së Kadrit dhe Bajramit, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Zyra e Gruas dhe Medreseja Tiranë, shpërndanë ndihma për 300 familje në nevojë. Gazmend Aga, Fatma Karaj dhe Ali Zaimi thonë se përmes emisionit “STOP” do të solidarizohen me familjet në nevojë gjatë gjithë këtij muaji.

Komuniteti Mysliman, Zyra e Gruas në këtë komunitet dhe Medreseja Tiranë kanë menduar se Nata e Kadrit dhe Bajrami janë ditë të shenjta, ndaj kanë shpërndarë ndihma ushqimore për 300 familje në nevojë.

"Nata e Kadrit është një natë ku njerëzit, përveç dhurimeve individuale që bëjnë, duhet që të gëzojnë sa më shumë familje. Sipas fesë islame, më i miri prej besimtarëve është ai që është i dobishëm për të tjerët. Pra, mos t'i harrojmë njerëzit në nevojë, në mënyre që edhe Zoti të mos na harrojë dhe të na vijë në ndihmë!"

Gazmend Aga nga Komuniteti Mysliman shprehet se në bashkëpunim me emisionin "STOP" do të vazhdojnë të ndihmojnë familje të tjera në nevojë gjatë këtyre ditëve të shenjta. Fatma Karaj tregon se ndihmat janë për jetimët, të sëmurët dhe për personat që nuk kanë mundësi ekonomike. Për Natën e Kadrit dhe Bajramin, Ali Zaimi nga Medreseja uron mbarësi dhe begati për të gjithë shqiptarët.

"Kush ka, një ta falë e një ta mbajë për vete. Kurrë mos t'i shtanget zemra ta japë për të bërë bamirësi për këta njerëz që janë kaq të varfër. Falenderojmë Zotin që Komunitetin Mysliman bën këto përpjekje. Ju falenderojmë edhe juveqë përpiqeni për këto. Zoti jua shpërbleftë, ju dhëntë begati gjatë gjithë jetës suaj dhe shëndet."

 Familjet në nevojë shprehin mirënjohje dhe falenderime për këtë nismë të Komunitetit Mysliman, Zyrës së Gruas, Medresesë dhe emisionit "STOP"./ tvklan.al





Të ngjashme