Natë shpërthimesh në Tiranë, vendoset eksploziv në dy banesa (1 Shkurt 1999)


Natë shpërthimesh në Tiranë, vendoset eksploziv në dy banesa (1 Shkurt 1999)

14:48 01/02/1999

Mbrëmja e ditës së djeshme ka qënë e mbushur me shpërthime eksplozivi brenda në kryeqytet. Rreth orës 19:30 Policia e Komisariatit Nr.1 të kryeqytetit është sinjalizuar që është hedhur një granatë dorë në një shtëpi brenda zonës që mbulon ky Komisariat. Më pas në vendngjarje shkoi grupi hetimor që konstatoi se shpërthimi i granatës ka prishur çatinë e një shtepie, viktima në njerëz nuk ka.

Autori ishte një 22 vjeçar i cili ishte grindur për motive pronësie me shtetasin Selim Koliqi. Konflikti mes tyre është acaruar aq shumë sa i riu duke dashur t’a zgjidhë sipas mënyrës së tij këtë konflikt, ka hedhur granatën në shtëpinë e Koliqit. Policia po punon për kapjen e 22 vjeçarit atentator.

Vetëm një orë pas shpërthimit të parë, një tjetër shpërthim eksplozivi ka tronditur Tiranën. Persona të panjohur kanë hedhur në katin e dytë të vilës së shtetasit Perlat Elezi një sasi të konsiderueshme lënde eksplozivi. Sipas Komisariatit nr 2 nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk ka patur viktima , vetëm sa ka hapur një vrimë në murin e shtëpisë dhe ka thyer xhamat e saj. Elezi ka deklaruar se nuk ka konflikt me asnjë njeri ndaj nuk mund t’a dijë se kush mund t’a ketë vendosur eksplozivin në shtëpinë e tij./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme