NATO dërgon 4 batalione në Balltik dhe Poloni


NATO dërgon 4 batalione në Balltik dhe Poloni

20:31 13/06/2016

NATO do të dërgojë 4 batalione me trupa ushtarake në vendet e Balltikut dhe në Poloni, në kundërpërgjigje të aksioneve të Rusisë në Ukrainë dhe Krime.

Lajmi u konfirmua nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut  të Veriut, Jens Stoltenberg, në një deklaratë për shtyp.

Jens Stoltenberg , Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: 

Kjo është një shenjë e qartë se NATO është e gatshme të mbrojë të gjithë anëtarët e saj, në çdo rast sulmi nga jashtë. Natyrisht që lëvizja jonë vjen si përgjigje e veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Krime në vitin 2014.”

Vendimi për dërgimin e trupave ushtarake në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni pritet të miratohet të martën nga ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare.

NATO njoftoi se në total do të dërgohen rreth 4 mijë trupa ushtarake, që do të zhvendosen nga një vend në tjetrin çdo 6 muaj.

Lëvizja e fundit ushtarake e NATO-s, është në vazhdën e masave të marra së fundmi kundër kërcënimit rus.

Disa javë më parë Aleanca e Atlantikut të Veriut përuroi bazën anti-raketore në Deveselu në Rumani, që u cilësua nga Moska si një veprim kërcënues i SHBA-ve.

Tv Klan






Të ngjashme