NATO mbërrin në Rinas (4 Prill 1999)
NATO mbërrin në Shqipëri vetëm një ditë pas vendimit të Brukselit. Mbërritën në Aeroportin e Rinasit njësitë e para të Flotës Ajrore të përbërë nga avionë transporti C130 dhe skuadrilie helikopterësh të ngarkuar me pajisje logjistike dhe ndihma të emergjencës, si dhe një kontigjent të vogël trupash të cilët do të organizojnë bazën logjistike dhe koordinative të forcës ushtarake më të madhe të botës.
Në orët e para të mesditës mbërriti në Rinas dhe vetë Komandanti i Grupit Koordinativ të Ndihmave, Gjeneral Major Bill Hilton. Ai deklaroi për shtypin se Aeroporti i Rinasit do të jetë baza e grumbullimit, koordinimit dhe dërgimit të ndihmave në zonën e Veriut.
Dy janë bazat e punës sonë këtu theksoi ai, pritja e ndihmave humanitare që shtetet pjesëtare të Aleancës së Atlantikut kanë planifikuar për të dërguar dhe e dyta organizimi i transportit të tyre në veri me mjete këmbësore dhe ajrore si dhe në kthim transporti i të ardhurve nga Kosova për në territorin Shqiptar.
Dita e sotme do të jetë e ngarkuar përsa i përket transportit si dhe organizimit të karvanëve për në veri. I gjithë ky operacion i cili është ideuar dhe organizuar nga forcat amerikane të NATO-s është planifikuar të zhvillohet pa ndërprerje deri në stabilizimin e situatës humanitare tejet të rëndë në Shqipërinë e veriut./tvklan.al
Gazetar : Teodor Keko