NATO thirrje Rusisë të lirojë pengjet ukrainas


NATO thirrje Rusisë të lirojë pengjet ukrainas

22:40 27/11/2018

Tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë që kanë vënë në gjendje lufte dy vendet mund t’i kushtojnë Rusisë edhe më shtrenjtë. Liderët perëndimorë kanë reaguar ashpër ndaj Moskës, duke i bërë thirrje të tërhiqet. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg tha se përdorimi i forcës ushtarake nga Rusia nuk ka justifikim.

“Rusia të lirojë menjëherë marinarët ukrainas dhe anijet e sekuestruara dje. Bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje”.

Edhe BE pritet të reagojë. Sipas një zëdhënësi në Bruksel, Rusia rrezikon sanksione të tjera nga europianët nëse nuk liron pengjet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu kritikuan Moskën për sulmin ndaj anijeve ukrainase. Por presidenti rus Vladimir Putin, në një komunikim telefonik me kancelaren gjermane Angela Merkel tha se anijet ukrainase kishin hyrë në ujërat territoriale ruse duke shkelur marrëveshjen për kalimin e lirë në ngushticën e Kerçit.

Sakaq, një gjykatë në Krimé vendosi masën e arrestit me 60 ditë për 2 nga 24 marinarët e arrestuar. Ndërsa Rusia publikoi një video të tyre, ku pranonin se kishin vepruar në mënyrë provokative. Por për Kievin, marinarët janë detyruar me forcë të bëjnë ato deklarata.

Situata mbetet delikate, pas vendimit të parlamentit ukrainas për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë. Ky vendim i kërkuar nga presidenti Petro Poroshenko i jep fuqinë ushtrisë të marrë kontrollin e vendit. Presidenti ukrainas tha se rreziku i një pushtimi territori, është tejet i lartë.

Tv Klan






Të ngjashme