Ndahet nga jeta regjisori Ibrahim Muçaj


Ndahet nga jeta regjisori Ibrahim Muçaj

13:22 05/01/2010

Pas një ataku kardiak, mbrëmjen e 4 Janarit, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare regjisori Ibrahim Muçaj. I ndjeri Muçaj u lind në Vlorë në 1944-ën, ku dhe përfundoi arsimin e mesëm, për t’u diplomuar më pas në Institutin e Lartë të Arteve për aktrim në vitin 1968.

Në krye të herës ai punoi si asistent regjisor në krahë të regjisoreve të njohur si Viktor Gjika, Pirro Milkani apo Muharrem Fejzo, në filmat “I teti në bronz”; “Kur zbardhi një ditë” apo “Gunat përmbi tela”.

Si regjisor i pavarur krijimtaria e tij do të niste me filmat dokumentarë “Kënga e re” në vitin 1971 dhe “Jeta e një përmendoreje” në 1974-ën. Filmi “Dimri i fundit”, i nderuar në vitin 1975 me çmimin për regjinë më të mirë në Festivalin e Dytë të Filmit Artistik Shqiptar, shënon deputimin e parë të Ibrahim Mcucaj si regjisor në filmin artistik. Ai pati një bashkëpunim të ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ndajnë një krijimtari tëpasur kinematografike.

Në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Merituar”. Krijimtaria filmike që mban vulën e Ibrahim Muçaj si regjisor përmbledh një numër filmash të njohur si “Tokë e përgjakur”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Njeriu i mirë”, me të cilin fitoi kupën e Festivalit të Pestë të Filmit Artistik, “Apasionata”, “Duaje emrin tënd” apo “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990. Nga viti 1995-1997 ishte drejtori i studios “Alba Film” apo ish-Kinostudios Shqipëria e Re.

Gati gjysmë shekulli në profesionin e kineastit, Ibrahim Muçaj po punonte për një tjetër film artistik, në qendër të të cilit do të ishte një kompozitor. Miqtë e tij i kanë dhënë lamtumirën e fundit mesditën e të martës në kryeqytet, për të mos e parë më mes tyre, veçse përmes filmave.

Tv Klan






Të ngjashme