Ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA, Shtëpia e Bardhë nuk lëkundet
Administrata Trump qëndron e palëvizur në ndalimin e futjes së emigrantëve nga 7 shtete me shumicë myslimane, pavarësisht vendimeve të gjykatave e protestave masive.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se vetëm 109 persona janë ndaluar nga 325 mijë që udhëtonin.
Disa gjykatës vendosën kundër këtij urdhëri, megjithatë duket se pushteti i tyre nuk do të mund të ndikojë në vendimin e presidentit të vendit.
Vendimi në fjalë është kritikuar ashpër si në SHBA ashtu dhe jashtë saj.
Urdhëri ekzekutiv i Trump, i firmosur të premten, ndalon vazhdimin e programit amerikan për refugjatët për një afat kohor prej 120 ditësh, ndalim të përhershëm të futjes së refugjatëve sirianëve dhe pezullon të gjithë ata me kombësi nga 7 shtetet me shumicë myslimane për 90 ditë.
Të gjithë ata që ndodheshin rrugës u ndaluan sapo mbërritën në aeroport, ndonëse kishin vizë amerikane të rregullt apo leje qëndrimi. Nuk dihet sesa të tjerë u kthyen mbrapsht nëpër aeroportet jashtë vendit.
Me mijëra u mblodhën nëpër aeroporte në të gjithë Amerikën për të protestuar të shtunën, përfshirë avokatë, të cilët ofruan shërbim falas për ata që prekeshin nga ky vendim.
Protestat parashikohet të vijojnë, edhe jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Nga ky urdhër preken të gjithë ata që janë nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria e Jemeni. Në listë bëjnë pjesë edhe ata që kanë dy kombësi./tvklan.al