Ndalohen 2 policët në Tiranë me dokumente false – (27 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Dy punonjës të Drejtorisë së Policisë së Tiranë, janë kapur sot në flagrancë me dokumente komprometuese dhe korruptive. Një inspektor i anti-terrorit dhe shoferi i një drejtuesi të lartë të policisë së Tiranës janë ndaluar sot nga kolegët e tyre. Dy të ndaluarit janë zbuluar nga vetë nëndrejtori i policisë Bizhga, se me dokumente false, po punonin për bërjen e disa pasaportave false.
Bizhga ka hyrë vetë në zyrën e pasaportave, ku pasi ka parë dy të dyshuarit, pas një sinjalizimi, ka kontrolluar disa dokumente identifikimi që ata mbanin në duar. Nëndrejtori Bizhga ka hyrë pikërisht në momentin kur dy policët e drejtorisë së tij, po u dorëzonin dokumentet punonjësve të zyrës së pasaportave. Në moment ata janë ndaluar dhe janë izoluar në dhoma të veçanta të drejtorisë ku dhe janë pyetur nga prokurori.
Drejtori i Policisë Bilbil Mema, tha sot, se do të jetë prokuroria që do të vendosë për fatin e tyre, pasi policia e mbaroi punën e vetë. Hetimet e para kanë nisur në vetë zyrën e pasaportave, aktiviteti i së cilës u pezullua sot në drekë për të zbuluar diçka më shumë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj