Ndalohet edhe plazhi
Policia kontrollon bregdetin
Policia do të ndalojë kategorikisht plazhin si një nga masat e parandalimit të përhapjes së Covid-19. Në Vlorë u desh ndërhyrja e uniformave blu për të nxjerrë nga uji këta banore që shfrytëzuan motin e ngrohtë për t’u larë.
Frekuentimi i plazheve do të jetë i ndaluar edhe në zonat e gjelbërta. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e dha këtë mesazh nga Saranda, që është shpallur zonë e tillë nga autoritetet.
“Për Sarandën dhe për zonën e Himarës dhe për gjithë zonën e bregdetit, duke qenë se janë zona të cilat lagen nga deti dhe do të jenë një mundësi për t’u shfrytëzuar nga pushuesit për të hyrë në det, bëj me dije se këto veprime janë veprime totalisht të ndaluara dhe nuk do të tolerohen në asnjë moment nga Policia e Shtetit. Prandaj gjej një mundësi t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve të mos kenë absolutisht asnjë tendencë që të frekuentojnë plazhet derisa të dalë një urdhër i dytë, që të normojë mënyrën sesi do të trajtohet, mënyrën sesi do të veprohet me plazhet”, tha Veliu.
Edhe Pogradeci është shpallur zonë e gjelbërt. Njerëzit kanë nisur të lëvizin lirshëm, por as atje nuk do të jetë e mundur të frekuentohen plazhet e liqenit.
Tv Klan