Sekuestrimi i 3.4 milionë Eurove, arrestohen 4 persona


Sekuestrimi i 3.4 milionë Eurove, arrestohen 4 persona

15:47 25/06/2018

Këto janë një pjesë e eurove të sekuestruara nga policia në portin e Durrësit. Siç shihet në këtë foto, shumica e parave janë prerje 50-ëshe, por mes tyre ka dhe prerje 100-ëshe dhe 20-ëshe. Sipas policisë në dy mjete Toyota Yaris janë gjetur 3 milionë e 366 mije e 800 euro, 80 mije franga zvicerane dhe 100 euro false.

Në njoftimin e shpërndarë 24 orë pas ngjarjes, policia sqaron se janë arrestuar 4 persona. Në pranga ka rënë Edi Lika pronari i kamionit që transportonte dy Toyota Yaris ku ishin fshehur paratë, djali i tij Klevisi, shoferi i kamionit Agim Çeka dhe personi që do të priste makinat në servisin e tij, Alban Mollaymeri. Në kërkim janë shpallur porositësit e automjeteve në Belgjikë, me Elvis dhe Alfred Vladi me origjinë nga Dibra.

Katër të arrestuarit kane mohuar të kenë lidhje me paratë, por kanë pranuar se kanë bërë transportin apo porosinë e makinave. Përveç të hollave janë sekuestruar edhe 7 automjete të tjera, një kallashnikov dhe një radio policie e gjetur gjatë kontrolleve në banesa.

Policia thotë se fillimisht është vënë në dijeni nga burimet e saj, një ditë përpara se kreu i opozitës Lulzim Basha të fliste më 21 Qershor në parlament për transportin e 1.5 milionë eurove. Në njoftimin e saj policia sqaron se rreth orës 17 të asaj dite ishte informuar edhe nga një agjenci ligjzbatuese shqiptare. Grupi hetimor ka dyshime se pas parave të sekuestruara qëndron një grup i strukturuar kriminal dhe po punohet për identifikimin e pjestarëve. Dyshimet janë se kjo shumë vjen nga aktivitete kriminale, kryesisht ai i trafikut të drogës.

Tv Klan






Të ngjashme