Ndërpritet greva e mësuesve (28 Janar 1999)
Greva e nisur pa afat sot ka shënuar ditën e fundit të saj. Vetëm takimi mes Kryeministrit Majko dhe një përfaqësie të Federatës Sindikale dhe rënia dakord mes tyre ka ndërprerë ditën e pestë të grevës së arsimtarëve. Kryesindikalisti Dobrusha, rreth këtij kompromisi u shpreh :
“U arrit marrëveshja për zgjidhjen e kërkesave tona. Ishte një dialog i vështirë shumë ditësh, i vështirë për ne, i vështirë dhe për Qeverinë realisht, sepse kishte një faturë të madhe. Por kjo është një arritje e rëndësishme për sindikatën tonë në faktin se plotësohen në maksimum kërkesat që kemi paraqitur. Së dyti, është një arritje sepse është një institucionalizim i dialogut social midis punëdhënësve, punëmarrësve. Në rastin konkret midis Qeverisë dhe Sindikatës dhe një zgjidhje e kërkesave të mësuesve ,një inkurajim për një punë më të mirë nga ana e tyre. Federata ka shpallur grevën pa afat, dhe Federata me nënshkrimin e marrëveshjes greva quhet e mbyllur.”/tvklan.al
Gazetare : Holta Zhiti