Ndërpritet greva e urisë në burgun 313 – (27 Gusht 2000)


Ndërpritet greva e urisë në burgun 313 – (27 Gusht 2000)

15:10 27/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ndërpritet greva e urisë në burgun 313. Dy të burgosurit grevistë Julian Xhelaj dhe Abaz Papa, mbrëmë vonë, pikërisht në ditën e dhjetë të grevës së urisë, e kanë ndërprerë atë. Ata kanë pranuar ushqimin e mbrëmjes të përgatitur nga kuzhina e burgut. Sipas mjekut të burgut, nëse Papa dhe Xhelaj do të vazhdonin grevën e urisë, pas dhjetë ditësh mos pranimi të ushqimit, atëherë jeta e tyre do të vihej seriozisht në rrezik.

Dy të burgosurit e burgut 313 në Tiranë duket se janë bindur për të lënë grevën e urisë, pas lutjeve të familjarëve të tyre, të drejtorit të burgut Metalia dhe drejtorit të përgjithshëm Xhaferraj. Për më shumë ka qenë përkeqësimi në maksimum i shëndetit të tyre nga mungesa e ushqimit dhe lëngjeve, që e ka bindur Papën dhe Xhelajn t’i rikthehen ushqimit.

Ata kishin hyrë në grevë urie dhjetë ditë më parë në shenjë proteste nga vendimi i gjykatës së Tiranës dhe mos gjykimi i kërkesës së tyre nga Apeli. Megjithatë ata presin që çështja e tyre të gjykohet nga Kasacioni./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme