Tension në parlament, opozita bllokon foltoren


Tension në parlament, opozita bllokon foltoren

11:50 31/05/2018

I njëjti skenar edhe këtë të enjte.

Gramoz Ruçi: Ky është një ritual i përdorur edhe në seancat e mëparshme.

Kaosi dhe tensioni ishin kryefjalë e seancës plenare.

Gramoz Ruçi: Do tju lutesha kolegë të opozitës të ruani qetësinë dhe të ndiqni procedurat parlamentare.

Tre ndërprerje të njëpasnjëshme të punimeve të Kuvendit pas bllokimit të foltores nga opozita.

Gramoz Ruçi: Uluni, uluni poshtë, mos e zgjasni…

Kryeparlamentari Ruçi e quajti një tentativë te opozitës për të bllokuar aspiratën europiane të shqiptarëve.

Gramoz Ruçi: E gjithë veprimtaria dhe skenari i juaj është për të dëmtuar hapjen e negociatave.

Opozita paralajmëroi të tjerë ministra të qeverisë si të përfshirë në lidhje me krimin e narkotrafikun, duke mos hequr dorë nga kërkesa e saj për largimin e qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, Xhafaj.

Edi Paloka: Sot laku i ka ardhur tek ministrat, të parët janë ministrat e Brendshëm, të tjerët do vazhdojnë më pas. Nga Tahiri tek Xhafaj, ky është i vetmi hall që ka kryeministri.

Tejkalimi i kohës u kushtoi fjalën, por transmetimet i vijuan live nga rrjetet sociale.

Gramoz Ruçi: Mesa duket ju erdhi ora e facebook-ut. Ndërpritet seanca.

Mes tensionit dhe një foltoreje të bllokuar nga opozita, maxhoranca miratoi e vetme projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, për t’u larguar më pas nga salla e Kuvendit.

Gramoz Ruçi: 75 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Këtu mbyllet seanca…

Mungesa e maxhorancës se pengoi ish-kryeministrin Berisha të vijonte me akuzat në adresë të pasardhësit të tij për lidhje me krimin e narkotrafikun.

Sali Berisha: Edi Rama është rilindësi për të cilën bën fjalë në telefonatat me të dashurën Met Kanani, është një Balil tjetër. Do fitojë rilindësi i thoshte e dashura Met Kananit. Kanani mik kishte Gramozin, por në rilindës lartësonte vetëm Ramën.

Pa ironizuar nuk la as vizitën në Holandë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilin së bashku me kreun e qeverisë i akuzoi si pengesë për hapjen e negociatave.

Sali Berisha: Shkoi të lobojë me Geronin, nuk t’i hap njeri negociatat. Nuk të hap njeri negociata kur ke kryer grusht makabër shteti, ke marrë pushtetin Gjykatës Kushtetuese, ke shndërruar drejtësinë në një degë ekzekutivi.

Pas transmetimeve live nga rrjetet sociale opozita u largua nga parlamenti.

Tv Klan






Të ngjashme