Ndërron jetë Adem Demaçi, “Mandela i Kosovës”


Ndërron jetë Adem Demaçi, “Mandela i Kosovës”

18:30 26/07/2018

Lajmin për ndarjen e nga jeta të Adem Demaçit e dha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti gjatë seancës ku po diskutohej për çështjen e dialogut me Serbinë. Deputetët ndërprenë seancën dhe mbajtën një minutë heshtje.

Adem Demaçi ka një karrierë të gjatë jo vetëm si shkrimtar, por edhe si politikan dhe aktivist për të drejtat e njeriut në Kosovë.

28 vite në burgjet e Jugosllavisë i dhanë atij epitetin “Mandela i Kosovës”. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, Demaçi ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, i cili u ndalua nga regjimi duke dalë në dritë vetëm pas viteve nëntëdhjete.

“Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë

”, ishte mesazhi i Kryeministrit Edi Rama pas lajmit të ndarjes nga jeta të Demaçit.

“Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi. Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri”, 

u shpreh Presidenti Meta.

“Sot gjithë kombi mban zi sepse humbi një ndër njerëzit që me sakrificën, fisnikërinë dhe mendimin e tyre përbëjnë shtylla që mbajnë peshën e krenarisë kombëtare”,

ishte mesazhi i kreu të PD-së, Lulzim Basha.

Tv Klan






Të ngjashme