Ndërron jetë akademiku Farudin Hoxha


Ndërron jetë akademiku Farudin Hoxha

13:09 11/09/2017

Ndahet nga jeta në moshën 82 – vjeçare Farudin Hoxha.

Akademiku i mirënjohur, lindi në Gjirokastër në 1935 dhe pasi kreu Politeknikumin e Tiranës, ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje, ku u diplomua më 1961.

Që prej atij vitit, Farudin Hoxha punoi në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë, ku punoi deri në mesin e vitit 1993.

Që nga nëntori 1982 deri në maj 1988, Farudin Hoxha qe ministër i Ndërtimit. Shkurti i 1991 e gjen ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Akademiku Hoxha kreu studime dhe projektime për vepra hidroteknike dhe hidroenergjetike të rëndësishme, si: hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj.

Farudin Hoxha ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Prej vitit 2002 e në vazhdim kryetar i këtij Komiteti.

Në vitin 1986 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave (1997–1999) dhe zëvendëskryetar i saj (1999–2008).

Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjetike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.

Homazhet për akademikun Farudin Hoxhën do te bëhen sot dhe në orën 16:00 do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e Shish Tufinës./ABC News






Të ngjashme