Ndërtime mbi kalanë e Korçës – (18 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Nën themelet e kësaj ndërtese, do të prehen për jetë mbeturinat e kalasë së Korçës. Duke gërmuar pranë ish-hotel Ilirisë, punëtorët gjetën këtë mur të vjetër të ndërtuar rreth 8 shekuj më parë, 1.8 metra të lartë. Arkeologët i kërkuan ndërtuesit të ndalonte punimet, e njëjta kërkesë iu bë edhe autoriteteve vendore, por askush nuk pati durim dhe mbi rrënoja u derdh guri dhe betoni i ndërtesës së re.
Pak njërëz e dinë që Korça ka patur kala, por studiuesi Nedai Thëllimi, sqaron:
Studiuesi Nedai Thëllimi:- “Që Korça ka pasur një kala, kjo është një e vërtetë historike. Përmendet për herë të parë, në kronikën e lënë dorëshkrim nga Gjon Muzaka, të vitit 1510, në të cilin ai përmend, që më 1281 në kalanë e Korçës, ka qenë një sundimtar Andrea Muzaka, një paraardhës i Gjon Muzakës”.
Brenda këtij viti është hera e dytë, që ndërtohet mbi rrënoja arkeologjike./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame