Ndërtimet pa leje në Fier, shtohen shtesat e pallateve – (23 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Një ndër problemet e Bashkisë së Fierit, janë edhe shtesat e banesave. Çdo apartament në këtë qytet, ka të bashkangjitur ndonjë shtesë, që ka krijuar shqetësim në arkitekturën e Fierit. Edhe gjatë vitit të kaluar me moszbatim të ligjit, janë shtuar mjaft shtesa të tilla të cilat kapin një shifër prej 200.
Deri më sot janë evidentuar zyrtarisht rreth 15 të tilla, që sipas punonjësve të bashkisë, të sektorit të urbanistikës është njoftuar dhe policia ndërtimore. Në Bashkinë e Fierit, janë bërë më se 70 kërkesa të evidentuara, si dhe të tjera janë në procesin e dorëzimit. Këto kërkesa i kanë kaluar komisionit të Këshillit të Rregullimit të Territorit dhe presin aprovimin nga bashkia.
Shtesat e pallateve në të gjitha lagjet e qytetit po mbijnë si kërpudha pas shiut, duke mos kursyer dhe rrugët e kalimit të banorëve. Edhe sot bashkia për këto sheshe ndërtimi është vënë në konflikt me ish-pronarët e tokës dhe qytetarët, që ankohen se po iu zihet fryma nga këto ndërtime./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori