Ndeshja e vëllezërve Xhaka
Përballja e vëllezërve Xhaka në finalet e Europianit është përcjellë me interes para se kjo ndeshje të luhet. Më 11 Qershor, Taulanti do të luajë kundër vëllait të vogël Granitit, në sfidën Shqipëri – Zvicër. Të dy kanë komentuar këtë ndeshje në një konferencë të përbashkët.
Taulant Xhaka – Futbollist i Shqipërisë:
“Të luash kundër vëllait nuk është një ndeshje si të gjithë të tjerat, por këto janë zgjedhjet që ne kemi bërë. Graniti bëri zgjedhjen e tij duke luajtur për Zvicrën. Unë interesohem kur luan ai me përfaqësuesen, si ka luajtur ai dhe skuadra. Kjo nuk do të ndodhë kur të përballemi në grup, pasi aty dua ta mposht”.
Graniti ka luajtur më parë kundër Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës 2014, atëherë kur Taulanti nuk ishte pjesë e Shqipërisë.
Granit Xhaka – Futbollist i Zvicrës:
“Ne donim të mos ishim në të njëjtin grup. Do të jetë e veçantë për të gjithë familjen, e cila është shqiptare. Kemi menduar të vendosim një bast mes nesh, por ende nuk e kemi bërë. Në radhë të parë uroj që të jemi në formë për Europianin dhe pastaj të shohim”.
Ndeshja Shqipëri – Zvicër do të jetë e para në Grupin A për të dy ekipet.
Tv Klan