Ndeshja Hungari-Shqipëri, Reja: Të jemi të ekuilibruar dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi


Ndeshja Hungari-Shqipëri, Reja: Të jemi të ekuilibruar dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi

20:52 08/10/2021

Shqipëria duhet të një skuadër e ekuilibruar dhe të përpiqet të shfrytëzojë rastet kur i jepet mundësia. Trajneri Edy Reja mendon se do të jetë një Hungari ndryshe nga ajo që humbi muajin e kaluar në Elbasan. Ndeshja që do të luhet të shtunën ka shumë rëndësi për të dy përfaqësueset për garën për vendin e dytë në grupin kualifikues të Botërorit 2022.

“Të përpiqemi të arrijmë një rezultat, pasi duam të qëndrojmë në vendin e dytë. Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe të ndryshojmë mënyrën e lojës duke u përshtatur me kundërshtarin. Hungaria do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë. Hungaria nuk do të përpiqet të luajnë me kundërsulm por do të marrë lojën në kontroll. Ne duhet të jemi një skuadër e ekuilibruar dhe që të nisim topin sa më shpejt kur të na paraqitet mundësia”.

Sa për formacionin Reja tha se do të presë ditën e ndeshjes për të vendosur përfundimisht se cili do ta nisë nga minuta e parë, pasi të shikojë me kujdes gjendjen fizike të futbollistëve. I sigurt duket Etrit Berisha në portë, i cili shoqëroi trajnerin në konferencën para takimit. Sipas tij ekipi ka fituar besim pas paraqitjeve të fundit.

“Unë mendoj që këto ndeshje që kemi zhvilluar na kanë ndihmuar dhe jemi të sigurt që mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe fitorja me Hungarinë na ka dhënë më shumë vetëbesim për të vazhduar ëndrrën tonë. unë shpresoj që të arrijmë një fitore. Do të na e bëjë më të lehtë për Poloninë”.

Ndeshja Hungari – Shqipëri do të luhet të shtunën prej orës 20:45 në Puskas Arena të Budapestit pa praninë e publikut, pasi vendasit janë ndëshkuar nga FIFA.

Tv Klan






Të ngjashme