Ndihma ekonomike, Basha – Ramës: Je mbështetësi i dembelizmit në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar skemën e ndihmës ekonomike, duke hequr nga lista 30 mijë familje që janë në nevojë reale.
Gjatë debatit në Parlament për këtë çështje, Basha u shpreh se Kryeministri simbolizon dembelizmin dhe parazitizmin në Shqipëri, duke u dhënë miliona miqve të tij pa punuar, ndërsa akuzon shqiptarët se nuk duan të punojnë.
“Ti refuzon t’i shohësh ata që ke hequr nga ndihma ekonomike, sepse kjo të nxjerr bllof. Ke humbur çdo kontakt me popullin tënd të cilin e urren. Reforma e nisur në 2012 tani është marrë peng nga synimi yt për t’i përdorur të varfërit për mish për top. Jemi këtu për të konstatuar të vërtetën ashtu siç është, jo ashtu siç do ti. 70% e familjeve më të varfëra janë të përjashtuar nga ndihma ekonomike, thotë Banka Botërore.
Shqipëria renditet në vendin e 112 përsa i përket indeksit të lumturisë. Ti në këto 3 javë je përpjekur t’u thuash shqiptarëve se ka punë, por këta nuk duan të punojnë. Unë kam qenë familje më familje, ata kanë kërkuar për punë deri sa dolën në fotografi me mua. Ku janë shtuar këto vende pune?
Të flasësh në ajër është e thjeshtë. E vërteta është që ti e ke futur ekonominë në kolaps. Ju kujton shqiptarëve gjithmonë se janë dembel. Këta të koncesionarit të Fierit e të Elbasanit që marrin para pa punuar fare, çfarë janë? Ky është mbështetësi më i madh i dembelizmit dhe parazitizmit në Shqipëri. Ka dhënë miliona për miqtë e tij pa punuar fare. Ju merr shpirtin njerëzve të varfër. I heq nga ndihma ekonomike se kanë televizor. E dimë që Edi Rama nuk merr vesh nga ekonomia, nuk ka këshilltar për ekonominë, ka edhe një ministër më injorant për ekonominë”,
tha Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Parlament.
/tvklan.al