Ndikimi i pandemisë në bujqësi dhe agropërpunim
Jaka: Supermarketet të kenë të paktën 40% të rafteve me produkte shqiptare
Shqetësimet e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit, përfaqësuesit e biznesit ja kanë parashtuar në një video-konferencë ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi.
Edhe pse aktiviteti bujqësor nuk është ndalur pavarësisht masave kufizuese, gjatë diskutimit u kërkua që të garantohet lëvizshmëria 24 orë edhe për punëtorët e mirëmbajtjes së linjave të prodhimit. Lidhur me ketë, ministri tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit për të ndihmuar që të mos ketë pengesa në asnjë rast.
Si pasojë e masave të mara për frenimin e Covid-19 dhe për shkak të pezullimit të punës së restoranteve dhe të turizmit në tërësi, konstatohet ulje me 30-40% e numrit të qingjave e kecave të therrur. Kjo sipas shoqatave shihet me shqetësim pasi rrezikon të krijojë vështirësi në menaxhimin e tufave dhe ulje të prodhimit të qumështit.
Sipërmarrësit edhe në emer të fermerëve propozojnë disa zgjidhje që do t’i vinin në ndihmë ekonomisë në tërësi, përfshirë edhe rishikimin e disa taksave vendore.
Çuçi tha se shqetësimet do të adresohen në paketën e re financiare që po përgatit qeveria.
Nga Shoqata e Bimëve Aromatike Shqiptare u kërkua përjashtimi nga taksa e ndërtesës për vitin 2020 të sipërmarrjeve të kësaj industrie.
Klan Plus