Ndotja akustike lë Tiranën pa gjumë
Të jetosh në qendër apo zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku janë të vendosura kryesisht lokalet e natës është vërtet mallkim, sepse ndotja akustike është aq e madhe sa askush nuk mund të pushojë.
Pas ankesës së disa banorëve se edhe pas mesnate, vëshitirë të gjesh qetësi një kamera e televizionit Klan pa nga afër se çfarë ndodh në rrugët e qendrës pasi ora ka shënuar 12.
Të gjitha lokalet janë në garë me njeri-tjetrin, se kush e ngre më shumë volumin e muzikës, pa menduar se kjo është tej normave të lejuara dhe po ashtu shqetëson banorët e pallateve përreth.
Madje në disa lokale muzika është aq e lartë sa nuk të duhet të jesh
brenda, sepse disa metra larg është njëlloj si te jesh ngjitur me altoparlantët.
Muzika e lartë, nuk ndalet edhe pasi orari i lejuar ka kaluar…e në disa raste ajo vazhdon deri në orët e para të mëngjesit.
Kjo nuk është hera e parë që banoret e këtyre zonave ankohen se muzika e lartë përtej orës 24 që është edhe orari limit për fundjavën, i lë pa gjumë.
Banorë pranë këtyre lokaleve thonë se nuk kanë parë asnjë grup të Policisë së Shtetit, apo nga inspektoriati i mjedisit për të kontrolluar nivelin e ndotjes akustike. Ata thonë se janë të pambrojtur para babëzisë së pronarëve të lokaleve që për përfitimet e tyre nuk pyesin as për decibelët e zhurmave dhe as për vetë inspektoriatet apo komisariatet e policisë.
Nëse do tu referohemi standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë niveli i zhurmës për orët e natës duhet te jetë 45 decibel, por kjo normë tejkalohet disa fish.
Ndotja akustike shkakton çdo vit 10 mijë vdekje të parakohshëm në Europë. Rreth 20 milion të rritur vuajnë nga pagjumësia për shkak të faktorit zhurmë. Çdo vit mbi 900 mijë raste të hipertensionit shkaktohen po nga zhurmat.
Tv Klan