Ndryshime në polici, kolonel Bilbil Mema drejtori i ri i policisë së shtetit – (20 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Sot paradite Ministri i Rendit Publik Ilir Gjoni, ka bërë prezantimin e drejtuesve të rinj të policisë shqiptare. Në takim ministri Gjoni ka falënderuar kolonel Veli Myftarin, për punën e mirë të bërë në krye të policisë shqiptare. Ish-drejtori i policisë do të emërohet në një detyrë tjetër të rëndësishme.
Ministri i Rendit Publik shprehu bindjen se kolonel Bilbil Mema në krye të policisë shqiptare, do të vazhdojë punën e mirë që është bërë deri tani dhe do t’i japë një shtysë kësaj pune. Më tej e ka marrë fjalën kolonel Bilbil Mema, i cili është shprehur se ndihet i obliguar për të përballuar përgjegjësinë e madhe, që i është dhënë me emërimin në këtë detyrë.
Së fundi e ka marrë fjalën edhe ish-drejtori i përgjithshëm i policisë, kolonel Veli Myftari, i cili ka falënderuar të gjithë drejtuesit dhe efektivët e policisë, që sipas tij kanë qenë faktorët kryesor në arritjet e deritanishme të policisë shqiptare./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj