Ndryshimet kushtetuese të martën në Këshill
PD: Të merret ekspertiza e OSBE-ODIHR. PS: Nuk i përket këtij momenti
Maxhoranca dhe opozita do të mblidhen paraditen e së martës në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar për listat e hapura dhe koalicionet. Por palët vijojnë të jenë ende të ndarë në qëndrimet e tyre sa i përket kërkesës së opozitës për hapjen 100% të listave, pa cënuar koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarjen e mandateve.
Replikat i vijuan edhe sot në distancë, përmes email-eve të shkëmbyera nga përfaqësuesit e të dy kampeve. Opozita kërkon që propozimi i saj të jetë çështja e parë për diskutim në mbledhjen e nesërme dhe që të marrë ekspertizën ndërkombëtare të OSBE-ODIHR.
Por në kundërpërgjigje, Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e cilëson insistimin e opozitës qëllim për të bllokuar apo zvarritur në kohë miratimin e amendimeve kushtetuese. Sipas Gjiknurit ekspertiza e ODIHR-it nuk i përket këtij momenti.
Në email-in e gjatë drejtuar dy përfaqësuesve të opozitës, Gjiknuri sqaron se shumica është e gatshme ta shqyrtojë formulën e sjellë nga opozita, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura.
Tv Klan