Varhelyi: Po analizojmë vendimin e Kuvendit për “Zgjedhoren”
Rama: Jemi mësuar që përgatitemi për dasmë dhe krushqit nuk vijnë
Me gjithë qasjen pozitive të progres-raportit të hartuar nga Komisioni Europian, Kryeministri Rama nuk nxiton në përgatitjet për “dasmë”, ditën kur do të votojë Këshilli Europian.
“U mësuam duke u përgatitur për dasma dhe krushqit nuk na erdhë, tani ne do të bëjmë tonën”.
Rekomandimi i Komisionit Europian është qartësisht pozitiv, por sipas komisionerit Varhelyi, konflikti politik për Reformën Zgjedhore duhet parë në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme që do të jenë një test për vendin. Gjithsesi, Varhelyi tha se koalicionet nuk duhet të ndalohen.
“Sa i përket Reformës Zgjedhore, ne për momentin po analizojmë për çfarë ka votuar Kuvendi. Por ajo çka mund të them, është që duket që ka të bëjë me një çështje. Në lidhje me këtë do përsëris atë që thashë dje: Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk parandalohen, atëherë ne mund ta shikojmë atë ligj me një mendje të hapur, por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicione më parë apo pas zgjedhjeve. Për reformat e datës 5 Qershor, mendoj që ato ishin shumë të rëndësishme”.
Kryeministri u pyet edhe për kushtin tjetër, atë për një Gjykatë Kushtetuese funksionale, për të cilën tha se nuk është përgjegjësi direkte e qeverisë, për shkak se pastrimi i kërkuar nga Vettingu ishte i paimagjinueshëm.
“Nuk bëj dot parashikime se nuk varet nga Kryeministria procesi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Reforma në Drejtësi ka bërë që i gjithë procesi të jetë i pavarur, shpresoj që kjo të ndodhë. Bindja ime është që Shqipëria nuk mund të penalizohet se ka bërë spastrim shumë të madh. Pse nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale? Mos vallë kemi eleminuar nga Kushtetuta? Jo, nuk kemi gjykatë se bëmë spastrim që as nuk e ka parë në imagjinatë asnjë vend në rajon. Ne kemi bërë detyrën, spastrimi u krye, plotësimi ka kohën e vetë. Tani nuk varet nga qeveria a shtyhet apo nuk shtyhet, por vlerësohet Shqipëria si shtet, jo qeveria, se funksionimi i gjyqësorit është një nga pikat kyçe. Nëse BE do ta shohë si pikë, atëherë nuk do kapet. Nëse do kapet, do kapet. Progresi është i qartë. Ne do bëjmë punën”.
Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi mori pjesë edhe në seancë parlamentare ku foli për planin e investimeve të Bashkimit Europian.
Varhelyi premtoi se Komisioni Europian do të qëndrojë pranë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të punojë fort që vendet e rajonit të jenë shtete anëtare të Bashkimit Europian.
Tv Klan