Ndryshimet në Postën Qëndrore – (8 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ditë më parë në Postën Qëndrore të quajtur Alb Post, u krijua bindja e heqjeve të mëdha nga puna të punonjësve në të. Por ky nuk ishte gjë tjetër veçse ndryshim vendesh dhe jo heqje prej tyre. Rrotacioni i munguar prej vitesh në këtë post bëri që mjaft njerëz të rrënjoseshin në karrigen e tyre dhe një pjesë dhe të përfitimit që sillte ajo.
Nga 170 punonjës të Alb Postës asnjë nuk është hedhur në rrugë, vetëm vendet e tyre kanë ndryshuar. Kryetari i degës së Postave Kastriot Lubonja shpjegon.
Kastriot Lubonja, Kryetar i Degës së Postave:- “Kanë lëvizur vetëm jerëz të aftë nga postat e qytetit, kanë ardhur në postë në qendër dhe anasjelltas kemi lëvizur por ka dhe raste që kanë lëvizur nga disa tavolina më tutje, dmth. vetëm për të njohur proceset e punës dhe ne të mos kemi probleme në një të ardhme sepse natyrisht këtu janë të gjitha femra dhe kanë probleme, prandaj ne detyrohemi që ti lëvizim. Posta Qendër është një lloj nuk do të ketë asnjë dallim me postat e qytetit”.
Por nuk është i vetmi që sqaron publikun edhe punonjësit tregojnë ndryshimin e vendeve të tyre. Riorganizimi i Alb Postës përfshin 70% të lëvizjeve ndërkohë që drejtoria e filialit ka vendosur që këto ndryshime të bëhen çdo tre muaj./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti