Ndryshon procedura e shpërndarjes së dokumenteve
Lleshaj: Qytetarët thirren nominalisht, shmangen grumbullimet
Për të shmangur grumbullimet në tërheqjen e kartave të identitetit dhe pasaportat, policia do të thërrasë nominalisht qytetarët të paraqiten në sportele. Procedurën e sqaroi Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një vizite në Durrës.
“Për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhuar dhe ne do të marrim masa që nga nesër të thërrasim qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat”.
Ndërsa për dokumentet identifikuese të cilat kanë skaduar gjatë kësaj periudhe të epidemisë, Lleshaj bëri me dije se do të vijojnë të jenë të vlefshme.
“Për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, theksoj që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej”.
Ministria e Brendshme ka njoftuar edhe drejtuesit e bankave edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, të konsiderojnë vlefshmërinë e të gjitha kartave dhe pasaportave.
Tv Klan