Zbulohet grupi i “skifterëve” në Tiranë
Grabisnin banesat e qytetarëve që iknin me pushime
Këto janë momentet kur dy grabitës futen në një banesë në Tiranë dhe pas 30 minutash dalin prej aty me dy çanta, ku kanë marrë para, sende të çmuara dhe disa dokumente pronësie.
Me maskë në fytyrë, ata ishin kthyer në makthin e banorëve në disa lagje të Tiranës, pasi vidhnin shtëpitë ku pronarët shkonin me pushime. Shumica e vjedhjeve janë kryer në muajin Gusht. Dyert i hapnin me karta dhe me mekanizma të posaçëm duke përfshirë edhe çelësa kopje, që të mos bënin zhurmë dhe të mos linin dëmtime.
Për të kryer grabitjen ata përdornin edhe këtë pajisje që bllokon valët e celularëve, në mënyrë që edhe nëse dëgjoheshin nga fqinjët, ata mos të kishin mundësi të lajmëronin policinë.
Ata shpesh e merrnin kasafortën me vete, siç dallohet edhe në këto pamje. Sipas policisë bëhet fjalë për një grup prej 5 personash që kryenin grabitjet. 3 prej tyre janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.
Në momentin e arrestimit është zbuluar edhe makina që kryenin grabitjet dhe një shumë prej 10 mijë euro, monedhë në prerje 500-çe.
Këta grabitës cilësohen si një grup i rrezikshëm pasi ruanin banesat nëse aty futej njeri dhe më pas vendosnin për të hapur derën. Janë 7 grabitje që ata kenë kryer ku kanë marrë rreth 20 mijë euro, 3 milionë lekë të vjetra dhe sasi të konsiderueshme bizhuterish.
Tv Klan