Në gjendje të rëndë, shtatzëna e infektuar me COVID-19 në Prishtinë
Arrin në 10 numri i të vdekurve në Kosovë
Një grua shtatzënë në javën e 28 është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo është në kujdesin intensiv në klinikën infektive të QKUK-së ku është shtruar mbrëmë pasi ishte konfirmuar pozitiv me koronavirus.
“Pacientja te ne ka ardhur e intubuar me probleme mushkërore të rënduar dhe komplikime të tjera. Por ne jemi duke e bërë krejt atë që mundemi dhe do t’ia ofrojmë gjithë ndihmën e mundshme që ajo të ketë shëndet të përmirësuar. Praktikat edhe në botën e jashtme bëhen duke zgjedhur protokollet më të përshtatshme për shtatëzëna”, thotë infektologu Sali Ahmeti.
Në këtë klinikë në gjendje të rëndë shëndetësore janë edhe 12 persona të tjerë, ndërsa janë duke u trajtuar gjithsej 62 paciente me COVID-19.
Ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 10 pasi që në mëngjes është ndarë nga jeta edhe një grua 73-vjeçare e infektuar. Ajo kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërsa kryesia ka shqyrtuar nismën legjislative të kryeparlamentares Vjosa Osmani për projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, e cila është iniciuar si rrjedhojë e kërkesave që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të datës 6 Prill ku specifikohet roli i Kuvendin në ndërmarrjen e masave të duhura për të kufizuar lëvizjet e nevojshme me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
Tv Klan