12 viktima nga koronavirus në Itali, infektohen edhe 4 fëmijë
Shënohet viktima e dytë në Francë, në Kinë ulet numri i vdekjeve nga koronavirus
12 është numri zyrtar i viktima të shënuara në Itali nga koronavirus, ndërsa më shumë se 352 janë të infektuar, mes tyre edhe 4 fëmijë.
Personat që kanë humbur jetën deri më tani nga virusi që ka goditur Italinë prej disa ditësh, kanë qenë të moshës 76-91 vjeçare.
Burime zyrtare nga autoritetet italiane bëjnë me dije se janë infektuar 4 të mitur, një vajzë 4-vjeçare, dy fëmijë 10-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të cilët po mbahen nën survejimin e mjekëve.
Sot raportohet se është shënuar viktima e dytë në Francë, mes 17 të infektuarve. Sipas mediave franceze, viktima është një 60-vjeçar i cili ndodhej i shtruar në një spital në Paris. Ndërkaq, janë identifikuar edhe dy raste të reja të infektuara, një grua në Spanjë e cila kishte udhëtuar në Itali, si dhe një burrë në Brazil i cili po ashtu kishte qenë në shtetin fqinj.
Në Kinë janë shënuar 52 raste të reja vdekjesh, duke shënuar numrin më të ulët në tre javë dhe duke e çuar në 2.715 numrin total të viktimave nga koronavirus.
Duket se ka një rënie të rasteve të vdekjeve në Kinë, ku ishte dhe vatra e parë e shfaqjes së këtij virusi që u përhap me shpejtësi.
Ekspertët kanë theksuar se vdekshmëria më e lartë prej këtij virusi është në moshat e vjetra dhe në personat që vuajnë nga sëmundje kronike. /tvklan.al