Në Kodër- Kamëz banorët nuk paguajnë dritat (12 Nëntor 2000)
Kriza më e fundit energjetike ka nxjerrë në pah dhe një të vërtetë të fshehur për një dekadë. Pa bërë bujë, KESH është përdorur për të zbutur problemet sociale. Kjo është Kodër-Kamza. Nga fillimi i viteve ’90 dhe deri sot këtu janë vendosur rreth 5 mijë banorë të ardhur, kryesisht nga veriperëndimi i vendit. Atyre iu është garantuar liria e lëvizjes, por nën moton lype se s’ta jep dhe merre se s’thotë gjë.
Kështu ata zunë tokën, ndërtuan shtëpitë dhe bënë dhe instalimet e energjisë. Shteti shqiptar për këtë zonë ka bërë të dy sytë qorr e të dy veshët shurdhë. Aq sa vetë banorët thonë se paratë e korrentit i paguajnë, por kujt? Askush nuk është dukur për t’u vënë sahat apo për t’u sjellë fatura.
Pra përveç shtëpive, kanalizimeve, rrugëve dhe deri tek elekrifikimi, këta njerëz i kanë bërë me dorën e tyre, pa ndihmën e askujt. Nëse sot vendos shteti të mbledhë paratë, çfarë do të ndodhë? Çdo banor nuk do t’a ketë aq të lehtë. Pra, morali i fabulës është: Ata që kanë sahate që kursejnë energjinë, që japin lekët një më një për çdo faturë, duhet të paguajnë me para dhe errësirë dhe për këta banorë./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti