“Ne nuk frikësohemi”, premtimi i ambasadorit amerikan…


“Ne nuk frikësohemi”, premtimi i ambasadorit amerikan…

14:52 03/02/2017

Ambasadori amerikan Donald Lu nuk është tërhequr aspak pas konfliktit që pati të enjten, me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Një deklaratë për mediat, ambasada amerikane në Tiranë thekson se “asnjë përpjekje nuk pengon dot reformën në drejtësi”.

Donald Lu: Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të reformës në drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulim politik dhe korrupsion në gjyqësor. Ky është një premtim.

Diplomati amerikan dhe prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u përfshinë të enjten në replika të ashpra mes tyre.

Ambasadori Lu deklaroi se kreu i Prokurorisë është përpjekur të pengojë Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj. Llalla nga ana e tij foli për trysni të vazhdueshme të ambasadorit amerikan duke nënvizuar se nuk mund të jetë zot në mjediset e Prokurorisë.

Llalla e bashkëshortes së tij si dhe disa prokurorëve të lartë u janë revokuar vizat për në Shtetet e Bashkuara, një akt të cilin kreu i organit të akuzon e konsideron si një hakmarrje personale./ tvklan.al






Të ngjashme