Në pallatin ku ndodhi përplasja mes policisë dhe grabitësve
“Katër persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të grabisin banesën në katin e tretë të këtij pallati. U ndeshën me rezistencën e pronarit dhe mbërritjen e menjëhershme të policisë pas njoftimit. Bilanci i ngjarjes është një nga autorët i vdekur, një tjetër i plagosur dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim”, thotë
gazetarja e
ABC News,
Valbona Daci
.
Ajo shkoi paraditen e kësaj të premteje në lagjen “29 Nëntori” të Fieri, aty ku gjatë orëve të natës, 4 grabitës tentuan që të futeshin në shtëpinë e familjes Muçi. Autorët jo vetëm që dështuan në tentativën e tyre, por ata u përballën edhe me policinë.
Vetë e zonja e shtëpisë Elsa Muçi, thotë se grabitësit nuk mundën që të futeshin në banesë, pasi dera ishte e kyçur.
Ju shpëtoi llozi?
“Edhe unë e lë pa lloz, por Minella më bënte llafe gjithmonë. Me fat!”
Nuk arritën të hyjnë deri brenda hë?
“Jo jo, nuk e shikon, llozi futet në beton këtu”.
Zonja Muçi nuk flet më shumë për gazetarët, pasi bashkëshorti i saj Minella Muçi mbyll derën duke thënë se
“kemi punë”.
Ishte pikërisht Minella Muçi, i cili pasi kuptoi se grabitësit po tentonin të futeshin në shtëpinë e tij, telefonoi policinë.
Mes efektivëve dhe grabitësve pati shkëmbim zjarri, që rezultoi me vrasjen e një prej grabitësve, si dhe plagosjen e një tjetri. I plagosuri është identifikuar si Arben Muça. 33-vjeçari ndodhet në spital dhe ruhet nga forca të shumta policore.
Dy autorët e tjerë arritën të largoheshin. Deri në këto momente nuk ka ende të dhëna për identitetin e grabitësve të tjerë, ndërsa viktima është Xhuljan Sollaku, një 20-vjeçar nga Elbasani.
Për mikrofonin e gazetares Daci folën edhe fqinjët e familjes Muçi, të cilët shprehen se
“iu duk sikur ishin në ëndërr”.
Dëgjoheshin qartë?
“Po po po”.
Në çfarë ore ka qenë?
“Përgjumësh. Mund të ketë qenë 2 e 20. S’e kam idenë tamam”.
Të shtënat ishin në breshëri?
“E ke parasysh, se kur je përgjumësh të duket sikur je në ëndërr, por po dëgjuam të shtëna’.
Pastaj u ndërgjegjësuat se diçka po ndodhte?
“Po”.
Çfarë bëre?
“U tremba në shtëpi. Çfarë të bëja? Isha vetëm burrin e kam në punë”.
Një tjetër fqinje rrëfen se gjithçka e ka marrë vesh nga televizori dhe se kishte menduar se zhurmat ishin fishekzjarre.
“Unë kur u ngrita dëgjova në orën 3:00 zhurmat. Thashë mos janë fishekzjarret, Edhe asgjë tjetër. Ja tani kam dalë unë”.
Nuk e more vesh që ishte…?
“E mora vesh në televizor”.
Fjete gjumë?
“Fjeta gjumë. Dija unë”.
Mendove se ishin fishekzjarre?
“Po”.
//tvklan.al