Në pikën kufitare të Morinës vriten refugjatët kosovarë (18 Prill 1999)
Predhat dhe minat serbe vrasin gjashtë kosovarë dhe plagosin dhjetëra të tjerë. Sot dy incidente të provokuara nga ushtarët jugosllavë kanë marrë jetën e disa kosovarëve të cilët drejtoheshin drejt kufirit shqiptar. Incidenti i parë ishte kur forcat serbe hodhën një predhë mortaje mbi kolonën e refugjatëve disa metra larg pikës kufitare të Morinës, ku ka mbetur i vdekur një refugjat kosovar dhe janë plagosur 22 të tjerë.
Përfaqësuesit e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët që ndodhen në kufirin tonë Verilindor bëjnë të njohur se një ndër kosovarët vdiq në vend, dy të tjerë janë të plagosur rëndë dhe 20 të tjerët janë më lehtë. 15 minuta më vonë një shpërthim tjetër ka lënë të vdekur pesë kosovarë të cilët kanë qënë brenda në makinën e tyre kur kanë ndeshur në një minë antikëmbësori.
Zëdhënësi i OSBE-së në Tiranë, Andrea Angjeli tha se makina mori flakë vetëm 20 metra para se t’i afrohej pikëkalimit kufitar të Morinës. Ky është incidenti i parë që pas minimit të kufirit nga ushtria jugosllave. Më shumë se 20 mijë shqiptarë kanë kaluar përmes Morinës në Shqipëri gjatë 48 orëve të fundit./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj