Në prag të rinisjes së Superligës
Klubet marrin masat e kërkuara nga qeveria
Na ndajnë edhe 2 ditë nga rifillimi i Superligës dhe skuadrat janë gati të zbresin edhe një herë në fushë për të përfunduar sezonin. Nga 18 Maji dhe deri më 2 Qershor, ekipet janë stërvitur në grupe, madje kanë zhvilluar edhe ndeshje miqësore, duke sfiduar vendimin e qeverisë, që lejoi disa ditë më pas zhvillimin e garave sportive. Pas afro 3 muajsh, futbolli shqiptar është gati të rinisë, pa spektatorë dhe me protokollin e veçantë, vetëm kontrolle temperature, por pa tamponë për Covid-19.
Që prej kësaj të hëne, 1 Qershor, futbollistët që vijnë nga rajoni nuk do të pengohen të hyjnë në territorin shqiptar, kështu që ata nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia janë të pritur të bashkohen me skuadrat e tyre, madje pa u karantinuar. I vetmi problem mbetet stërvitja në grup që ata nuk kanë kryer këtë periudhë.
Një tjetër shqetësim është ai i dëmtimeve. Duke parë rastin e Bundesligës, mendohet se ekipet shqiptare do ta vuajnë edhe më shumë, kjo për shkak të terreneve ku ata luajnë dhe stërviten. Pa u zgjidhur ka mbetur çështja e kontratave të futbollistëve. Shumë prej tyre mund të largohen nga klubet pa problem, pasi ligjërisht kontrata u ka mbaruar më 31 Maj.
Mësohet se tek Vllaznia janë 13 lojtarë që u ka skaduar kontrata, përfshi edhe trajnerin Mirsad Jonuz. Asnjë klub nuk ka njoftuar zyrtarisht se është gjetur akordi me futbollistët që u mbaron kontrata, ndërkohë që vetë klubeve u lind e drejta të mos i paguajnë në Qershor. Udhëzimi i FIFA-s ishte që të klubet duhet të zhytnin afatin e skadimit të kontratës me marrëveshje me vetë lojtarët. Superligës i duhen 10 javë për të mbyllur sezonin 2019-2020. Ndeshja më e rëndësishme e javës është përballja mes Partizanit dhe Skënderbeut në Tiranë.
Tv Klan