Në prag të takimit të G-20ës
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë drejt një kursi përplasjeje për çështjet e klimës dhe tregëtisë në takimin e nivelit të lartë të grupit të 20-shes në Hamburg. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës për Evropën Luiz Ramirez, lufta kundër terrorizmit dhe praktikat e ndjekur nga Kina për shitjen e çelikut nën çmimin e tregut, mund t’i sjellë ata së bashku.
Ndërsa policia forcon patrullimin dhe protestuesit ngrenë kampe, askush nuk pret një fundjavë të qetë në Hamburg. Angela Merkel ka premtuar të punojë drejt një konsensusi, por nuk parashikon të ndodh ndonjë mrekulli në marrëdhënien e saj me administratën amerikane.
“Mendoj se ka një nivel të lartë ngjashmërish, ndërkohë që për çështje të tjera ka një nivel të lartë mosmarrëveshjesh, kështu që nuk dua të parashikoj bisedimet, por nuk mendoj se do të kemi pozicione të përbashkëta për të gjitha çështjet. Është e rëndësishme të bisedohet për të gjitha çështjet e diplomacisë ndërkombëtare.”
Presidenti Trump thotë se ka plane të guximshme të vendosë tarifa ose kuota mbi importet e çelikut, një ndër kërcënimet e fundit ndoshta më serioze për të mbrojtur industrinë amerikane, si pjesë e strategjisë së tij ‘Amerika e Para’, një çështje që i ka bërë partnerët e G-20 të ndjehen të nervozuar.
“Ai po hedh shumë ide për diskutim: marrëveshjen NAFTA, kritikat ndaj ndryshimeve klimatike pasi nuk do të ketë politika kufizuese. Ndoshta kërkon patjetër tregëti të lirë që është mirë për të gjithë. Por ajo që po mundohet të bëjë, është të ekspozojë ndoshta disa vende hipokrite si Kina që flet për tregëti të hapur por nuk e zbaton atë gjithmonë. Kështu që do të ketë vërtetë një përplasje titanësh në takim.”
Strategjia e bisedave të paparashikueshme nga zoti Trump ka sjellë rezultate. Pasi kërcënoi se nuk do të qëndronte përkrah aleatëve të Natos që nuk paguajnë detyrimet e tyre, erdhën premtimet nga vendet anëtare për të rritur kontributet e tyre. Ai tha se do të shfuqizonte Marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë në Amerikën e Veriut dhe tani ka arritur një marrëveshje me Meksikën për eksportin e sheqerit.
Objektivi i udhëheqësit amerikan tani është Kina dhe eksportet e saj të lira të çelikut që fajësohen për humbje të vendeve të punës jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Britani e në shtetet e tjera të G-20ës, përfshi Gjermaninë.
Klima është një çështje e rëndësishme për disa vende të G-20ës, por analistët thonë se kërcënimi i eksporteve të lira të çelikut kinez mund të jetë një shqetësim i përbashkët dhe merr përparësi.
“Shumë nga vendet e G-20ës po përjetojnë të njëjtat forca ekonomike dhe kufizime si Shtetet e Bashkuara. Kështu për shembull, në Britani, uzinat e çelikut në Port Talbot dhe Redcar u mblyllën për shkak të kapacitetit të tepërt të furnizimit nga sektori kinez i çelikut. Kjo nuk është shumë ndryshe nga ajo që po ndodh në Ohajo dhe Pensilvani. Kështu që mendoj se ka një mundësi për të patur shumë mbështetje.”
Në se drejtuesit arrijnë të gjejnë pika të përbashkëta, kjo do të jetë në konstrast të thellë me atë që shihet në rrugët e Hamburgut, ku protestuesit kanë dalë që në fillim të javës./VOA