Lu e Basha 60 minuta kokë më kokë për ligjin e Vetting-ut


Lu e Basha 60 minuta kokë më kokë për ligjin e Vetting-ut

12:30 29/08/2016

I parë në selinë blu për herë të fundit në ditët kur negociohej për miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese, Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu është rikthyer për një takim rreth 60 minuta me kryetarin e demokratëve, Lulzim Basha.

Takimi zhvillohet 24 orë përpara seancës së jashtëzakonshme, ku do të votohet ligji i Vetting-ut.

Palët nuk kanë pranuar të japin të dhëna mbi çështjet e diskutuara, por burime nga Partia Demokratike thanë për Televizionin Klan se në focus ka qenë drafti që do të paraqitet të martën në Kuvend dhe amendamentet e opozitës.

Demokratët e kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë këtë ligj në formën që u miratua në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Sipas tyre, drafti është antikushtetues.

Edhe mazhoranca e unifikuar kësaj here, ka qenë e qartë po ashtu, se projektligji do të miratohet në seancën e pasdites së martë, me apo pa votat e opozitës.

Por kanë lënë të hapur mundësinë që nëse demokratet arrijnë të marrin miratimin e ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT për amendamentet që kanë propozuar për draftin ata do t’i votojnë.

Të martën paradite demokratët dhe socialistët do të mbledhin grupet parlamentare, për të vendosur për qëndrimin që do të mbahet në seancë.

Tv Klan






Të ngjashme