Në sherr për një treg (22 Qershor 2000)
Prej pak kohësh, bregu i Shkumbinit ka fituar tjetër gjallëri. Bashkë me shushurimën e ujit tani dëgjohen dendur dhe sherret e komunës së Shirgjanit me atë të Shushicës. Secili pretendon se është pronar i tokës ku është vendosur tregu i gjësë së gjallë. Tregu vërtet quhet i Elbasanit, por në të vërtetë ai ndodhet në Mjekëz, ndërsa elbasanllinjtë duhet të udhëtojnë 4 kilometra për ndonjë mish të freskët.
Këtë dhuratë qytetarëve ua bëri Bashkia me një vendim të posaçëm. Tani gjaku i qingjave dhe i viçave derdhet lum në Shkumbin teksa theren në llucën dhe rërën e lumit. Rrëke shkon dhe djersa e blerësve që detyrohen të marshojnë nëpër vapë deri në Mjekëz dhe bëjnë pazar në qiell të hapur me kasapët./tvklan.al