Në shkenca me mesatare 5.4


Në shkenca me mesatare 5.4

06:07 09/02/2018

Investimet në fushën e arsimit janë përqëndruar deri tani në ndërtimin e godinave, ndërsa ka degraduar cilësia e mësimdhënies edhe si pasojë e uljes së nivelit të mësuesve. Klan Plus zbulon se nota mesatare e studentëve të pranuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë për pesë vjet me radhe ka qenë nga 5.4 deri në 6.7

Të paktën në pesë vitet e fundit, studentët e pranuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës kanë qenë me mesataren minimale që mund të pranonjë një program studimi.

Nota mesatare në degët që përbëjnë edhe bazën e shkollës, si matematika, fizika, kimia e bilogjia, ka qenë mes 5.4 dhe 6.7. Fizika ka pranuar studentët më të dobët, pasi nota mesatare për pesë vjet me radhë nuk ka kaluar asnjëherë 5.9. Ky kontigjent studentësh, janë diplomuar dhe po diplomohen si mësues të Shkencave të Natyrës për shkollën e mesme.

Këto janë dhe shkaqet e një rënieje drastike të nivelit të mësuesve të këtyre lendëve, krahasuar me mësuesit e vjetër. Në vitet ’90, studentët braktisën në masë degët e mësuesisë, dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës hapi dyert duke pranuar studentë pa kritere, për të mos u mbyllur, duke thithur në shumicë të rinjtë që nuk fitonin degë të tjera, sikundër pranojnë edhe vetë studentët. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme pohojnë se mësuesia mbetet ndër preferencat e fundit për studimet e larta.

Sot sistemi arsimor është në krizë për mësues cilësor, veçanërisht në degët e Shkencave të Natyrës. Për të frenuar këtë regres, Ministria e Arsimit ka planifikuar të vendosë rag të pranimit në këto degë notën 7.

Si një formë për të nxitur zgjedhjen e këtyre degëve Ministria e Arsimit, po planifikon shpërndarjen e bursave për të gjithë ata që zgjedhin mësuesinë. Sipas Ministrisë së Arsimit, kjo reformë pritet të fillojë në vitin akademik 2019.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu






Të ngjashme