Në telefon nga Brukseli gazetari Vladimir Lame (8 Qershor 1999)


Në telefon nga Brukseli gazetari Vladimir Lame (8 Qershor 1999)

12:38 08/06/1999

Gazetari Vladimir Lame në telefon nga Brukseli.

Vladimir Lame në telefon: Është pritur me optimizëm këtu në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel, Projektrezoluta e hartuar nga Ministrat e Jashtëm të Grupit 8 në Bon. Zëdhënësi i NATO-s Xhemi Shi ka deklaruar sot pasdite, disa minuta pas përfundimit të mbledhjes së Grupit të Tetë se bombardimet ndaj trupave ushtarake serbe do të vazhdojnë, derisa tërheqja e tyre nga Kosova do të bëhet e verifikueshme nga NATO. Pas miratimit të Projektrezolutës të hartuar nga Grupi 8 dhe miratimit të saj nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe fillimit të tërheqjes së ushtarëve dhe mjeteve të rënda të blinduara të serbëve, pararoja e ushtarëve të NATO-s kryesisht britanike dhe irlandeze do të hyjë në Kosovë nëpërmjet Maqedonisë. Drejtimi i trupave të NATO-s që do të vendoset në Kosovë do të jetë në një komandë unike. Tani i takon Millosheviçit të kalojë në veprime konkrete theksoi zëdhënësi i NATO-s Xhemi Shi. Ai konfirmoi se UÇK-ja po kryen luftime ndaj serbëve në të gjithë Kosovën ndërkohë që këta të fundit në hakmarrje kanë masakruar qindra refugjatë kosovarë në Trepçe. Ky fakt është konfirmuar dhe nga Ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko në një konferencë për shtyp për gazetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në Selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel. Përsa i përket refugjatëve të vendosur në Shqipëri dhe Maqedoni pritet që në mënyrë vullnetare brenda tre muajve të rikthehen 50 % e tyre në Kosovë me ndihmën dhe nën garancinë e trupave ushtarake të NATO-s që do të dislokohen në Kosovë. Këtu në Bruksel është mbledhur sot pasdite dhe Këshilli i Përgjithshëm i Ambasadorëve të NATO-s i cili do të vendosë për masat konkrete pas mbledhjes së G-8-ës dhe për të njëjtën temë pas disa minutash do të organizohet takimi Ollbrajt – Solana. Këtu në Selinë Qëndrore të NATO-s në Bruksel shpresojnë që brenda 48 orëve të ardhshme ushtarët serbë të fillojnë tërheqjen e tyre nga Kosova, së bashku me armatimin e rëndë./tvklan.al






Të ngjashme