Në Torovicë, ku koha ka ngecur dhe qeverisja nuk ekziston
Dikur njerëzit silleshin me forcë për të jetuar në kampin e internimit në Torovicë, ndërsa sot të paktat familje që jetojnë ende këtu kanë ardhur nga zonat veriore me dëshirën e tyre. Shpresa për një jetë më të mirë, apo larg të ftohtit ka zënë vendin e të dënuarve politikë të kohës së komunizmit, parullat e të cilëve ndjekin ende banorët ish kampit.
Përveç sobave me dru, asgjë nuk mund të ngrohë sot familjet e strehuara në këto godina thuajse te rrënuara. Ata janë njësoj të dënuar, edhe nga dielli madje që i braktis që në mesditë.
Shumë prej familjeve jetojnë prej 20 vitesh në këto kushte, ku varfëria është ulur në sofër. Shtëpitë janë pothuajse bosh, në qiell të hapur e të pushtuara nga lagështira. Banorët shprehen se ndihen të braktisur, mes papunësisë dhe jetesës në kushte njësoj si në mesjetë.
Të ardhurit e fundit, familja Papleka, jeton prej dy vitesh në ish kampin e Torovicës. Ata thonë se ndihen të penduar që braktisën shtëpinë në Tropojë për të jetuar sot nën këto kushte brenda një dhome me dy shtretër dhe një sobë që sjell ngrohtësi për 4 familjarët.
Ndërsa më i vjetri i familjes jeton edhe sot nën kushtet e internimit. Pamundësia fizike e ka lënë nën këto kushte, ku e vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të qëndrojë shtrirë duke pritur për ditët e fundit.
Jashtë kësaj dhome për të gjithë banorët e mbetur, çdo ditë ndjek të njëjtën rutinë, bashkë me diellin që largohet pas malit, jeta vazhdon heshtur brenda mureve të shtëpive duke ofruar këtë pamje të trishtë. Vetëm oxhakët me tym munden të tregojnë se dikush jeton ende aty.
Varfëria është një refren i përhershëm dhe asnjë qeveri nuk ka gjetur çelësin magjik të zgjidhjes së këtij problemi. Por rruga që lidh fshatin me qytetet e Lezhës dhe Shkodrës është një problem që mund të zgjidhje. Sipas tyre kjo rrugë është një çështje emergjente dhe rindërtim i saj ka qenë gjithmonë pjesë e premtimeve elektorale.
Burimi: Klan Plus