Hahn: Fillojmë punën për 35 kapituj
Vendimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian sipas komisionerit për Zgjerim Johanes Hahn i hap rrugë nisjes së punës përgatitore për hapjen e negociatave. Në një intervistë për televizionin Klan, Hahn thotë se nga qeveria dhe forcat politike në Shqipëri duhet kuptuar mirë se procesi i ashtuquajtur “screening” është shumë ambicioz.
“Eshtë një dritë jeshile, pasi qartësisht u vendos që gjithçka duhet të jetë e përgatitur për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Qershor të 2019 dhe kjo është realiste edhe përsa i përket afatit kohor. Pra, ne tani mund të fillojmë me procesin e screening apo ekzaminimit për kapitujt e ndryshëm dhe në tërësi bëhet fjalë për 35 kapituj. Kjo nënkupton së paku qindra takime përgatitore dhe kjo fazë normalisht merr 1 vit”.
Hahn thotë se ky proces nuk është gje tjetër veçse vazhdimi i punës në ato fusha për të cilat është rënë dakort më parë.
“Procesi i Vettingut është vetëm një pjesë e mozaikut, ndërkohë që procesi i screening është një ekzaminim i tërë asaj që përfshin fusha e shtetit ligjor dhe në fazën ku ndodhet Shqipëria lidhur me këtë”.
Sipas Komisionerit të Zgjerimit, diskutimet ishin të vështira, por në fund u arrit të arrihej një konsensus.
“Si gjithnjë në jetë, mund t’a shohësh gotën gjysëm plot ose gjysëm bosh. 25 shtete anëtare ishin vërtet të predispozuara ta shihnin gotën gjysëm plot për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë Veriore të ardhshme. Unë munda të bind përfaqësuesit e Francës, Holandës dhe Danimarkës që të ishin më të besueshëm dhe më të hapur në këtë drejtim dhe më në fund ia dolëm që të kishim një marrëveshje”.
Hahn thotë se mendimi që mbizotëroi ishte se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të shpërbleheshin për përpkjekjet që kanë bërë, ndërsa nënvizoi se disa vende iu referuan mbështetjes së opozitës për reformën në drejtësi, si një moment i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.
Tv Klan